POPULLSIA NË RRETHIN E KOLONJËS

PUNOI:  AMARILDO SHALLAS, UNIVERSITY OF TIRANA, ALBANIA

TIRANË 2016, JANUARY

 

HYRJE

Me anën e këtij punimi synoj të paraqes dhe analizoj problemet kryesore të popullsisë në rrethin e Kolonjës. Objekti i punimit është : analiza në kohë dhe në hapësirë e problemeve kryesore të popullsisë në këtë rreth, përshtatja e popullsisë me mjedisin gjeografik dhe problemet që lindin nga ky bashkëveprim, analizimi i strukturave të popullsisë dhe raporti meshkuj – femra, raporti midis lindjeve dhe vdekjeve dhe impakti i tyre social, dhe lëvizjet migruese dhe emigruese të popullsisë dhe impakti i tyre mbi popullsinë dhe ekonominë e zonës.  Ky punim është i rëndësishëm sepse evidenton njohjen e problematikës që është krijuar nga mos bashkëveprimi i duhur ndërmjet njeriut dhe mjedisit, si dhe komunitetit dhe politikave sociale dhe kulturore. Duke qenë se pjesa më e madhe e informacionit është marrë nga INSTAT atëherë, jam përpjekur që të komentoj dhe analizoj siç duhet këto shifra. Pjesa tjetër e informacionit është marrë nga Biblioteka Kombëtare. Përzgjedhja e informacionit është bërë në mënyrë të tillë që të jetë sa më i kuptueshëm për lexuesit dhe dëgjuesit.  Është cilësuar nga shumë studiues si Kolonja e rilindjes, pasi në këtë kohë ka pasur dhe një rëndësi të madhe në formimin e kulturës kombëtare shqiptare. Me emrin Kolonjë, kjo krahinë përmendet në dokumentet e shkruar në vitin 1018[1]. Rrethi i Kolonjës, shtrihet në pjesën juglindore të Shqipërisë, 45 km në jug të qytetit të Korçës, e bën pjesë në rajonin juglindor.

  • NUMRI I POPULLSISË DHE EVOLUCIONI I SAJ
    • Rrjedha historike e evoluimit të popullsisë. Rrethi i Kolonjës ka qënë i banuar që në kohët prehistorike. Janë gjetur gjurmë të vendbanimeve neolitike në Luaras dhe në Kamnik që datojnë rreth 2800-2600 vjet p.e.s. Banorët e Kamnikut kanë qënë mjeshtra të prodhimit të qeramikës, dhe punimet e tyre janë cilësuar si veprat më të arrira dekorative të neolitit në Evropën juglindore. Edhe sot ky fshat vazhdon të jetë i populluar.[2] Fortifikimi i parë mbrojtës në vendin tonë me gjatësi 45 m dhe gjerësi 1.7 m i ruajtur pjesërisht gjendet në vendbanimin e Kamnikut.[3] Gjatë periudhës Ilire kjo trevë ka qenë pjesë e shtrirjes së fisit të Dasaretëve, një fis ilir sipas historianëve shqiptare, por që në enciklopedinë angleze dhe evropiane njihet si një popullsi greke. Mendimi i dytë për mendimin tim është tërësisht i gabuar për vetë faktin se janë vetë historianët e antikitetit grek që thonë se në këto zona jetonin “barbarët”, pra popullsi jo greke. Madje kjo trevë përmendet edhe në dokumentet romakë të kohës, ku në vitin 200 p.e.re ushtria romake e ardhur nga lugina e Osumit shkatërroi vendbanimet ilire të zonës. Nga kjo kohë popullsia ka ardhur duke u shtuar me përjashtim të disa dekadave të veçanta ku ajo është detyruar të migrojë ose emigrojë në raste epidemish dhe luftërash. Ky rreth ka në përbërjen e tij 2 bashki Ersekën dhe Leskovikun[4], që janë dhe dy njësitë më të rëndësishme administrative të tij dhe 6 komuna që kanë në përbërje të tyre 76 fshatra . Qyteti i Ersekës shtrihet në gropën e Kolonjës dhe është qëndra më e madhe e banimit. Sipas autores angleze Edit Durham qyteti Ersekës është krijuar rreth vitit 1768 me rreth 100 shtëpi, me banorë të ardhur nga fshatrat përreth dhe të vendosur buzë rrugës që lidhte Korçën me Leskovikun. Pozita gjeografike që ka ky rreth në të cilin kalojnë rrugë që e lidhin atë me pjesë të tjera të Shqipërisë e më gjerë ka bërë që shumica e popullsisë që ndodhej në zonat e thella dhe fshatrat e thellë malorë të zhvendosen buzë këtyre rrugëve për të ushtruar aktivitetin e tyre jetësor. Pozita gjeografike e rrethit ndikon më së shumti tek banorët e zonave më të thella malore, ku për shkak të largësisë që ka ky rreth nga qëndrat e zhvilluara ekonomikisht të vendit bën që zhvillimi i këtyre banorëve si ekonomikisht ashtu edhe nga ana arsimore dhe kulturore të mos jetë në nivelet e duhura. Gjithashtu rrugët e vetme për tu lidhur me zonat e tjera janë ato rrugore automobilistike. Në të ardhmen shihet me optimizëm rikonstruksioni i aksit nacional Korçë – Leskovik, punime të cilat aktualisht janë në proces.Rrethi i Kolonjës ka 14318 banorë[5] ,ndërsa qyteti i Ersekës që është dhe qëndra më e madhe administrative ka një popullsi prej 3746 banorësh[6]. Në ditët e sotme dendësia shkon në 17.7 banorë/km²,pra rreth 49.6% më pak se 8 vite më parë. Është rrethi i dytë me migrimin më të madh të popullsisë pas rrethit të Hasit. Shtrirja në hapësirë e vendbanimeve është e kufizuar përgjatë rrugës kryesore nacionale dhe pranë burimeve dhe prenjëve lumorë ku ofrohen kushte më të mira për zhvillimin ekonomik. Për qytetin e Leskovikut flitet për herë të parë në dokumentet e shkruara në shekullin XV, por kulmin e ka arritur në fillim shekullin e XX-të ku popullsia arrinte në 10000 banorë. Shkaku kryesor i shtimit të popullsisë ishte zhvillimi ekonomik që mori qyteti pas shtimit të marrëdhënieve tregtare midis Korçës dhe Janinës e Prevezës. Madje sipas Sami Frashrit në librin e tij “Enciklopedia” Leskoviku gradualisht kaloi nga qendër kazaje në qendër sanxhaku. Në ditët e sotme ky qytet numëron një popullsi prej rreth 1500 banorësh.

Gjithashtu shumica e popullsisë jeton në gropën e Kolonjës, kryesisht përgjatë rrugës kryesore dukuri kjo që ndikohet nga:

  • Faktori klimaterik : kjo pasi ka ndikim të drejtpërdrejtë sepse zonat e thella malore kanë klimë më të ashpër se pjesa e brendshme, kjo për pasojë ka çuar në krijimin e një sërë vendbanimesh rurale pranë rrugës nacionale Korçë – Leskovik. Gjithashtu klima ndikon dhe në shpërndarjen e kulturave bujqësore, për shembull klima më në jug të rrethit, në krahinën e Leskovikut është më e favorshme për zhvillimin e vreshtarisë se gjithë pjesa tjetër e rrethit, dhe kjo ka bërë që ekonomia e popullsisë në këtë pjesë të rrethit të varet nga ecuria e klimës. Gjithashtu një tjetër aspekt është edhe turizmi i cili është një degë jo shumë e zhvilluar pavarësisht potencialit të madh turistik që ofron kjo zonë. Këtu mund të zhvillohet si turizmi i bardhë dhe ai historik. Në këtë rreth ndodhen mbi 20 monumente natyrore dhe 2 zona të mbrojtura si parqe kombëtare të cilat janë dhe fokusi kryesor i turistëve të huaj që vizitojnë këtë rreth, ku si zona më të vizituara mund të përmendim zonën e Gërmenjit dhe atë të Shelegurit. Më së shumti turistët janë amerikanë. Por, klima këtu luan rolin e saj, pasi në rast të një klime relativisht më të butë ku rreshjet e borës do jenë të pakta, atëherë dhe aktiviteti i atyre pak resorteve turistike në rreth do jetë i vogël, çka do çojë në të ardhura të ulëta ekonomike duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin human dhe ekonomik të banorëve të zonës. Gjithashtu klima ndikon edhe tek tokat duke forcuar proceset e tjetërsimit të tyre kjo pasi amplituda e temperaturës vjetore llogaritet mesatarisht në rreth 25ºC, dhe reshjet e shiut dhe borës në sasi relativisht të madhe nxisin proceset e erozionit në tokat e vendosura kryesisht në shpatet e maleve duke i shkatërruar ato ose duke ulur cilësinë prodhuese të tyre.
  • Relievi, me tërësinë e veçorive të tij si copëtimi horizontal dhe vertikal, pjerrësia dhe ekspozicioni i shpateve malorë, lartësia absolute mbi nivelin e detit ka bërë që shpërndarja e qëndrave të banuara, urbane dhe rurale, të kufizohet në ato pjesë ku popullsia ka kushte më të mira jetese, kryesisht pranë tokave më të pasura bujqësore. Pjesa më e madhe e popullsisë është e përqendruar në piemontin e Kolonjës. Relievi ndikon gjithashtu dhe në komunikim dhe transport, për shembull duke qenë një zonë malore komunikimi gjatë stinës së dimrit vështirësohet si pasojë e bllokimit të aksit kryesor nacional Korçë – Leskovik nga reshjet e borës.
  • Hidrografia ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, kjo pasi çdo vendbanim rural dhe urban në ketë rreth është i vendosur pranë një rrjedhje ujore. Duke qënë të vendosur pranë këtyre pjesëve popullsia e zhvillon aktivitetin e saj ekonomik, kryesisht atë bujqësor nën impaktin e këtij faktori. Tarracat lumore dhe tokat aluvionale pranë këtyre rrjedhjeve ujore bëjnë që prodhimi bujqësor të jetë më i madh në këto pjesë, pra duke e pasur më të lehtë sigurimin e ushqimit dhe aktiviteti human i popullsisë do të jetë më i lartë në këto pjesë. Gjithashtu kohët e fundit rrjeti hidrografik po përdoret edhe për prodhimin e energjisë elektrike ku mund të përmendim Hec-in e ndërtuar në lumin Osum.
  • Tokat më të mira dhe më prodhuese gjenden në këtë pjesë të rrethit, për pasojë aktiviteti më i madh ekonomik bujqësor ndodh në ketë pjesë, edhe pse është shumë i vogël në krahasim me njësitë e tjera të ngjashme të rajonit juglindor si fushëgropa e Korçës, e Përrenjasit dhe gropën e Pogradecit. Ndikimi i tokave nuk është tepër i madh pasi bujqësia nuk zë një pozicion kyç në ecurinë ekonomike të zonës. Gjithashtu dhe pasuritë nëntokësore nuk janë të larta, ku në të gjithë rrethin gjenden vetëm disa rezerva qymyrguri, por dhe këto nuk shfrytëzohen për shkak të cilësisë së dobët.
  • Faktori ekonomik dhe ai i shërbimeve[7]. Me faktorin ekonomik lidhet pamundësia që kanë banorët e zonave malore për të nxjerrë prodhimet e tyre më së shumti blegtorale në treg dhe gjithashtu në zonat malore rrjeti rrugor është shumë i prapambetur dhe pothuajse i shkatërruar. Shërbimet më të nevojshme janë më të lehta më pranë akseve rrugore pasi kuptohet që me rritjen e distancës nga qëndra e këtij rrethi ( qyteti i Ersekës ) bëhet më e vështirë për institucionet ofrimi i shërbimeve dhe ulet aksesibiliteti dhe kontrolli mbi këtë pjesë të popullsisë.[8]

 

  • ROLI I FAKTORIT POLITIK DHE LUFTËRAVE NË EVOLUCIONIN E POPULLSISË.

E parë në këndvështrimin historik faktorët politike dhe luftërat kanë pasur ndikim të herëpashershëm mbi popullsinë. Më poshtë janë të renditura disa nga etapat ku sipas mendimit tim popullsia është detyruar të emigrojë ose është zhdukur nga luftërat dhe sëmundjet epidemike.

  • E para ndër to është koha e kryengritjes së vitit 1443, ku nën frymën e krijuar në atë kohë nga kryengritja e Gjergj Kastriotit, popullsia e zonës çliroi krahinën dhe vendbanime të tjera përreth duke përfshirë edhe qytetin e Kosturit, por fill pas saj zona u ripushtua dhe u plaçkit nga ushtritë turke. Në këtë kohë zona nuk ka pasur vendbanime urbane. Një pjesë e popullsisë për ti shpëtuar vrasjeve mund të ketë emigruar. Këtë arsyetim e bazoj edhe tek fakti se vetë Marin Barleti në librin e tij : “Historia e jetës dhe veprës së Skënderbeut” thekson se : “ajo pjesë e popullsisë shqiptare e cila morri pjesë në kryengritje më vonë u detyrua të emigronte drejt Italisë për ti shpëtuar hordhive pushtuese osmane”.
  • E dyta është ajo e viteve 1700- 1709 ku mendohet se numri i kryengritësve arrinte në 12000 vetë, me banorë të Kolonjës dhe zonave përreth. Këto 9 vjet zona u transformua në një arenë luftimesh midis kryengritësve dhe ushtrive turke, deri sa këta të fundit e pushtuan zonën.
  • E treta dhe më e rëndësishmja sipas mendimit tim ishte pushtimi nga ana e andartëve[9], të cilët pushtuan dhe masakruan popullsinë e zonës, madje 50 fshatra u shkretuan plotësisht. Kjo ndodhi pasi popullsia e zonës nuk pranoi të hynte në varësi të qeverisë vorio – epiriote të filogrekëve të Shqipërisë së jugut. Masakrat ishin nga më të çuditshmet, për shembull në fshatin Peshtan të Leskovikut u therën 27 fëmijë, kokat e të cilëve i hodhën në një pus. Një tjetër masakër është edhe ajo në fshatrat Selenicë e Taç ku të gjithë burrave të fshatit ju pre koka dhe kokët e tyre i varën në rrugët që të çonin në këto fshatra për disa ditë me radhë. Organizimi i këtyre masakrave kishte si qëllim largimin e popullsisë shqiptare me fe myslimane nga kjo zonë. Në këto rrethana të vështira një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të migrojë drejt zonave të tjera të vendit.
  • E katërta është masakra e Borovës, më 6 korrik 1943, ku u dogj i gjithë fshati dhe u vranë të gjithë banorët, 107 veta.

 

  • MIGRIMI DHE EMIGRIMI I POPULLSISË

Në qoftë se do të shohim ritmin e shtimit dhe zvogëlimit të popullsisë në kohë na rezulton se që prej statistikave të para të mbajtura për këtë zonë në vitin 1926[10] e deri në vitin 1991 popullsia ka ardhur duke u shtuar madje gjatë periudhës 1945 – 1990 popullsia u dyfishua kjo si pasojë e politikave të ndjekura në atë periudhë kohore. Por gjatë 25-vjeçarit të fundit ajo pothuajse është zvogëluar 3-fish në krahasim me periudhën para ardhëse kjo për disa faktorë    që janë :                                             1. gjeografikë

  1. Social-ekonomik.

 

  1. Largësia e madhe nga qëndrat e zhvilluara ekonomikisht të vendit ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në pamundësi për të zhvilluar bizneset e tyre në këtë zonë janë larguar kryesisht drejt kryeqytetit dhe në ultësirën perëndimore. Zona është 254 km larg aeroportit “Nënë Tereza” dhe 300 km larg portit të Durrësit.
  2. Lindjet e pakta janë një tjetër shkak që ka ndikuar në zvogëlimin e popullsisë pasi në vitet e fundit numri i tyre pothuajse është përgjysmuar, kjo edhe për shkak të emigrimit dhe migrimit të shumtë por edhe për shkak të politikave të planifikimit familjar.
  3. Emigrimi dhe migrimi i popullsisë kryesisht pas vitit 1990 ka qenë masiv dhe i pakontrolluar çka ka çuar në braktisjen totale të shumë vendbanimeve rurale , madje në disa fshatra të kësaj zone nuk ka më asnjë banor rezident. Aty kanë ngelur vetëm rrënojat e banesave të dikurshme, kryesisht në fshatrat e Malësisë së Kolonjës.
  4. Një tjetër faktor është dhe pamundësia që ka popullsia për të vazhduar arsimimin në shkallët e larta të tij, faktor që çon në një fenomen shqetësues siç është braktisja masive nga ana e të rinjve e kësaj zone për të shkuar në qytete më të zhvilluara të vendit ose në shtete të tjera për të vazhduar arsimimin e tyre. Në gjithë rrethin ka vetëm 3 shkolla të arsimit të mesëm.
  5. Shëndetësia është një tjetër faktor pasi shërbimi shëndetësor është fare i vogël. Në të gjithë rrethin ka vetëm 2 spitale rajonale[11] dhe disa urgjenca modeste në fshatrat më të populluar. Por, problemi kryesor nuk qëndron në numrin e tyre, por tek infrastruktura që ato kanë, me investime që nuk janë realizuar që prej mëse 20 vjetësh.
  6. Papunësia kap nivele rekord në këtë rreth ku 54 % e popullsisë aktive është e papunë.

 

Nga një shikim i përgjithshëm që i bëjmë statistikave për qarkun e Korçës shohim se rrethi që ka të punësuarit me nivelin më të lartë të shkollimit është rrethi i Kolonjës.[12]                       Përsa i përket ndikimit të hapësirës në shpërndarjen e popullsisë siç edhe theksuam më lart popullsia është e përqendruar kryesisht buzë rrugëve kryesore që lidhin këtë rreth me rrethet e tjera.

  • SHTESA NATYRORE, LINDJET DHE VDEKJET

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i studimit të popullsisë është dhe shtesa natyrore e saj, që paraqet raportin midis lindjeve dhe vdekjeve. Për rrethin e Kolonjës shtesa natyrore e popullsisë llogaritet të jetë rreth 15 banorë për mijë.  Tendenca në vitet e fundit është gjithnjë e më shumë në ulje kjo për një sërë faktorësh ku mund të përmendim : faktorin ekonomik, faktorin social, ku futen arsimimi, shëndetësia, karriera dhe faktorin politik e kulturor. Të gjithë këto faktorë që u përmendën më sipër kanë ndikuar në një nivel të ulët të lindshmërisë dhe të shtesës natyrore në përgjithësi. Kësaj i shtohet me migrimi dhe si rezultat shohim një numër popullsie gjithnjë e më të vogël. Një shembull se si shtesa natyrore luan rolin e saj mund të përmend se gjatë viteve të para të periudhës komuniste nga 1945 në 1970 popullsia e qytetit të Ersekës u 8-fishua në këto 25 vjet, pra nga rreth 300 banorë që kishte në vitin 1945 shkoi në rreth 2500 banorë. Natyrisht, që nuk ishte vetëm roli i shtesës natyrore, sepse ndikim kishin edhe lëvizjet migruese “të detyruara” për të mbështetur krijimin e industrisë së lehtë ushqimore dhe asaj të drurit, por mund të them se shtesa natyrore kishte impakt kryesor me ndjekjen e politikave pronataliste dhe me përmirësimin e kushteve të jetës në përgjithësi.

  • STRUKTURAT E POPULLSISË

5.1 SHPËRNDARJA E POPULLSISË SIPAS VENDBANIMEVE.

Në rrethin e Kolonjës sikurse u përmend edhe më sipër kemi 2 vendbanime urbane të cilat janë qytetet e Ersekës dhe të Leskovikut dhe 76 vendbanime rurale. Numri i vendbanimeve rurale ka qenë më i madh në periudhat e mëparshme por në disa nga këto vendbanime, kryesisht në 25 vitet e fundit popullsia ka migruar dhe emigruar në masën 100 % dhe shumë fshatra në komunat Novoselë dhe Çlirim nuk ka më banorë rezidentë të përhershëm por gjatë verës vihet re një popullim stinor i këtyre fshatrave, kryesisht nga popullsi e moshës së tretë. Por, në krahasim me zonat urbane vëmë re se pjesa më e madhe e popullsisë jeton në zonat rurale, pra në zonat urbane kemi një numër prej 5271 banorësh ose 47.6 % e popullsisë së rrethit ndërsa në ato rurale një numër prej 5799 banorësh ose 52.4 % e popullsisë. Pjesa më e madhe e popullsisë është e përqendruar rreth qytetit të Ersekës, ku bashkia Ersekë së bashku me komunën qendër Ersekë kanë 6419 banorë ose 57.9 % e popullsisë. Faktori kryesor i kësaj shpërndarje të popullsisë është ai social dhe si kriter kryesor mund të përmend punësimin. Numrin më të lartë të popullsisë si njësi administrative e ka qyteti i Ersekës me 33.8 % ndërsa më të ulëtin komunat Çlirim dhe Novoselë me përkatësisht secila me 3.2 %.

 

5.2 STRUKTURA GJINORE SIPAS NJËSIVE ADMINISTRATIVE.

Nga sa mund të vëmë re shohim se kemi të bëjmë me një mbizotërim të numrit të personave meshkuj në krahasim me femrat, dhe në rastin e vitit 2011 kemi një përbërje prej 51.02 % meshkuj dhe 48.98 % femra, pra raporti midis meshkujve dhe femrave na rezulton në 96 femra për çdo 100 meshkuj. Në qoftë se shohim tërësinë e faktorëve që ndikojnë duke filluar që nga ai natyror, social, shëndetësor, dhe ekonomiko – shoqëror, sipas mendimit tim rolin më të madh e ka luajtur faktori social dhe ai ekonomiko – shoqëror për vetë faktin se si pasojë të selektimit të gjinisë së fëmijëve ndër vite është arritur në këto shifra, pavarësisht migrimit dhe emigrimit më të madh të gjinisë mashkullore që në ketë rast na del si një faktor dytësor.

5.3 STRUKTURA MOSHORE E POPULLSISË SIPAS VENDBANIMEVE

Kemi disa ndarje strukture moshore të popullsisë por në ketë rast popullsia është ndarë në : popullsi të re, popullsi aktive e moshës së mesme dhe popullsi e moshës së tretë. Duke qenë se faktorët kryesorë që ndikojnë mbi strukturat moshore janë lindjet, vdekjet, lëvizjet migruese të grupeve të ndryshme të popullsisë, faktorë socialë dhe ekonomikë, ndër to do të veçoja lëvizjet migruese të grupeve të ndryshme të popullsisë, në ketë rast mund të përmend se vetëm një pjesë fare e vogël e të rinjve që vazhdojnë studimet universitare kthehen përsëri në vendlindjen e tyre, duke ndikuar dhe në strukturat moshore dhe si pasojë mosha e re përbën vetëm 15.6 % të popullsisë. Këtu mund të përmendim edhe lindjet e pakta sidomos në vitet e fundit.

Siç mund të vihet re  popullsia është zvogëluar me ritme të larta pra në vitin 2011 ajo ishte zvogëluar me 61.58 %, në krahasim me 20 vite më parë. Dhe në vitet pas 2011 deri në ditët e sotme popullsia vazhdon të migrojë dhe emigrojë me ritme të larta, madje në qoftë se vazhdohet me ketë rritëm, për mendimin tim mund të kemi një ç’popullim të kësaj zone diku rreth vitit 2035 – 2040.

PËRFUNDIME.

Rrethi i Kolonjës shtrihet në juglindje të Republikës së Shqipërisë, bën pjesë si njësi fiziko-gjeografike në krahinën malore qëndrore, në pjesën jugore të saj. Pjesa më e madhe e këtij rrethi zihet nga gropa e Kolonjës ndërsa në perëndim shtrihet malësia e Kolonjës. Qyteti i Ersekës është kryeqendra e rrethit të Kolonjës. Pozita gjeografike ka ndikim të drejtpërdrejtë, sidomos në kontekstin e shpërndarjes së popullsisë në hapësirë, ku ndikimi i faktorit klimaterik dhe relievit ka kushtëzuar vendosjen e vendbanimeve kryesore buzë rrugëve kryesore që e lidhin zonën me rrethet e tjera. Pozita gjeografike ndikon gjithashtu në aspektin ekonomik dhe të shërbimeve ku aktiviteti ekonomik i popullsisë kushtëzohet me zgjerimin e hapësirës dhe rritjen e distancës nga qendra e rrethit, qyteti i Ersekës. Popullsia e këtij rrethi shkon në rreth 11000 banorë. Tipar që vihet re në këtë fushë është zvogëlimi gjithnjë e më i madh i popullsisë me kalimin e viteve. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në këtë fenomen janë : largësia e madhe gjeografike nga qëndrat e zhvilluara ekonomikisht, lindjet e pakta, emigrimi dhe migrimi masiv dhe i pakontrolluar,kushtet klimaterike dhe faktorë social-ekonomik. Kolonja është një ndër rrethet me nivelin më të ulët të punësimit, vetëm 54 %. Pjesa më e madhe e popullsisë varet nga aktiviteti bujqësor dhe blegtoral, emigracioni, dhe bimët medicinale, ku këto të fundit çdo vit e më shumë po gjenerojnë të ardhura për banorët e zonës. Aktivitete të tjera ekonomike mund të përmendim: turizmin,vreshtarinë,llixhat e Leskovikut,punishtet për përpunimin e produkteve blegtorale, industria e drurit, artizanati, dhe gurorja. Elementët gjeografikë si tokat dhe klima kanë ndikim dhe janë në një korrelacion të njëtrajtshëm me zhvillimin ekonomik të zonës. Tokat po përfshihen masivisht nga erozioni dhe fenomene të tjera që kanë ndikuar negativisht në ekonomi. Përsa i përket aspektit kulturor shtrirja gjeografike e këtij rrethi, kushtet natyrore dhe faktorë të tjerë edhe pse më së shumti të konsideruar si negativë kanë bërë të mundur që ai të ketë ndikim jo shumë të madh në rang kombëtar mbi kulturën si në hapësirë ashtu edhe në kohë. Lidhja njeri-mjedis është tepër e ngushtë në këtë zonë duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi. Kohët e fundit tejshfrytëzimi i resurseve natyrore ka sjellë shkatërrimin e një pjese të mirë të mjedisit në këtë zonë. Pavarësisht kësaj dukurie pjesa më e madhe e tij vazhdon të qëndrojë e pacënuar nga aktiviteti njerëzor.

REKOMANDIME:

  1. Duhet të reklamohen produktet e dala nga kantinat e vreshtarisë sidomos vera e Leskovikut që është e një cilësie mjaft të lartë , por hapësira gjeografike ku ajo konsumohet është mjaft e vogël.
  2. Duhet të nxitet kultivimi i bimëve medicinale nga fermerët, pasi kushtet klimatike lejojnë rritjen e tyre, sidomos i sherbelës.
  3. Duhet të nxiten investimet në sektorin privat sidomos për degët e industrisë së lehtë, pasi ka potencial dhe kapital fizik të mjaftueshëm për shfrytëzim. Mund të zhvillohen shumë degë të industrisë ushqimore.
  4. Duhet të investohet në infrastrukturën rrugore, si ura e vetme lidhëse me zonat e tjera. Me infrastrukturën e tanishme gjatë dimrit komunikimi vështirësohet ndjeshëm. Madje në gjithë zonën kalon vetëm një aks rrugor kombëtar. Në rrethin e Kolonjës dendësia e rrjetit rrugor është 51 km/km².
  5. Duhet të reklamohet më shumë sektori i turizmit dhe vlerat etnografike të zonës. Turizmi mund të gjenerojë të ardhura të mëdha, madje duhet të nxitet edhe turizmi familjar që mungon pothuajse totalisht.
  6. Duhet të merren masa për ndalimin e shfrytëzimit të pasurive pyjore, pasi këto të fundit mund të vihen në funksion të zhvillimit të turizmit.
  7. Riaktivizimi, privatizimi ose investime në restaurimin e llixhave të Leskovikut mund të sjellin të ardhura për banorët e zonës. Ujërat termale në këto llixha kanë veti mjaft të mira kurative.
  8. Duhet të mbështetet me fonde të posaçme dhe të nxitet sektori i bujqësisë dhe i blegtorisë si aktivitete të rëndësishme ekonomike në ketë zonë.
  9. Duhet të ndërmerren fushata sensibilizuese mbi popullsinë nga OJQ-të ose qeveria dhe institucionet përkatëse për ndalimin e fenomenit të migrimit masiv.
  10. Shteti duhet të marrë hapa konkretë për problemin e migrimit masiv, pasi nëse vazhdohet me këto ritme , për 20 apo 30 vitet e ardhshme numri i popullsisë do zvogëlohet ndjeshëm. ( Arsyetimi për këtë pikë është bazuar dhe në artikullin e botuar nga profesor Pal Nikolli , Bilal Draçi , Albana Kosovrasti në lidhje me parashikimet mbi numrin e popullsisë së Shqipërisë.)[13]

Bibliografi

Axhemi, S. (2007). Gjeografia e popullsisë dhe vendbanimeve. Tiranë: ALSA.

Belba, A. (2013). Gjeografia e sektorit terciar në rajonin e Korcës. Punim në kërkim të gradës doktor i shkencave (f. 204). Tiranë: Universiteti i Tiranës.

Draci, B., & Bickert, M. (2013). ALBANIAN RETURN-MIGRATION FROM GREECE. KËRKIME GJEOGRAFIKE Nr. 15 (fv. 133-147). Prishtinë: UNIVERSITETI I PRISHTINËS.

INSTAT. (2013). Censusi i popullsisë dhe banesave 2011 në nivel qarku ( për qarkun Korcë ). Tiranë: Instituti i Statistikës.

Nikolli, P., Draci, B., & Kosovrasti, A. (2013). Një krahasim i metodave të parashikimit të numrit të popullsisë. KËRKIME GJEOGRAFIKE Nr. 15 (fv. 89-104). Prishtinë: UNIVERSITETI I PRISHTINËS.

Pasha, M. (2006). Gjeografia Ushtarake. Tirane.

Qiriazi, P., & Doka, D. (2012). Gjeografia e Shqiperisë dhe Trevave. Tiranë: botimet ideart.

Qiriazi, P., Doka, D., & Pushka, A. (2013). Gjeografia 9. Tiranë: botimet ideart.

SEKSIONI I ARSIM-KULTURES. (1971). KOLONJA, material ndihmës për studimin e vëndlindjes. Ersekë: D.A.R. Ersekë.

 LITERATURA ON-LINE :

http://www.instat.gov.al/al/figures/statistical-databases.aspx

http://sq.wikipedia.org/wiki/Erseka

https://www.shqiperia.com/shqiperia/qyteti/qnr/374/emri/Erseka

http://www.geographic.org/geographic_names/name.php?uni=-154935&fid=305&c=albania

http://www.rda-korca.org/?q=sq/kolonje

www.instat.gov.al/media/196170/tab_2_1_3.xls

http://en.wikipedia.org/wiki/Kolonj%C3%AB_District

http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/rajoni-juglindor.html   

http://www.korcaregion.com/index.php?idr=31&idm=78&mod=1&lang=1

http://www.arkivalajmeve.com/Pushime-neKolonjen-epaqes-dhe-teFan-Nolit.1047616777/

http://top-channel.tv/tv/tv.php?id=47302

[1] Sipas disa studiuesve për here të parë emri Kolonjë është përmendur nga greket bizantine në 1382. Fjalori historik i Shqipërisë.

[2] Popullsia e këtij fshati nuk I kalon 70 banorë dhe aktiviteti kryesor ekonomik është blegtoria.

[3] Skënder Aliu, Kërkimet e studimet arkeologjike në Shqipërinë Juglindore dhe vlerat e tyre në fushën e prehistorisë, fq 3.

[4] “ Leskoviku është një qendër fare e vogël , e ndërtuar prej guri dhe vendosur mirë , e ngjashme shumë me një fshat të Uellsit të Veriut, por e pastër dhe e rregullt” Durham M . E. “ The Burden of Balkans” London 1905

[5] Sipas regjistrimit te vitit 2010

[6] Sipas të dhënave të INSTAT 2011.

[7] Këtu përfshihen arsimimi, shëndetësia, transporti, shërbimet publike.

[8] Në zonat e thella kontrolli mbi territorin është pothuajse I papërfillshëm ku mungojnë tërësisht shërbimet kryesore.

[9] Këta ishin persona të nxjerrë nga burgjet dhe paraushtarakë të ushtrisë greke të cilët i shërbenin qeverisë vorioepiriote të Delvinës.

[10] Regjistrimi I parë I popullsisë 1926(rreth 1000 b), sipas dokumentacionit të kësaj periudhe. Realisht regjistrimi i popullsisë ka ndodhur në 1923 por për zonën në fjalë të dhënat e para janë ato të vitit 1926. Kjo mund të konfirmohet dhe në botimin e mëposhtëm. Nikolli, P., Draci, B., & Kosovrasti, A. (2013). NJË KRAHASIM I METODAVE TË PARASHIKIMIT TË NUMRIT TË POPULLSISË. KËRKIME GJEOGRAFIKE Nr. 15 (fv. 89-104). Prishtine: UNIVERSITETI I PRISHTINËS.

[11] Spitali I Leskovikut në 3 vitet e fundit shërben vetëm si urgjencë mjekësore vetëm për kryerjen e vizitave mjekësore, dhe mungojnë pothuajse totalisht aparaturat mjekësore. Mjekë specialist nuk ka në këtë spital.

[12]( Arben Belba; Gjeografia e sektorit  terciar në rajonin e Korçës; Tiranë 2013.)

[13] Nikolli, P., Draci, B., & Kosovrasti, A. (2013). NJË KRAHASIM I METODAVE TË PARASHIKIMIT TË POPULLSISË. KËRKIME GJEOGRAFIKE Nr. 15 (fv. 89-104). Prishtine: UNIVERSITETI I PRISHTINËS.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s