Studim i hapësirës rurale në bashkinë e Kolonjës

AMARILDO SHALLAS, UNIVERSITY OF TIRANA, MAY 2016

Në punimin e mëposhtëm është synuar të shpjegohet në mënyrë sa më të thjeshtë të përbashkëtat dhe të veçantat midis zonave të ndryshme rurale në bashkinë e Kolonjës. Ky punim ka në qendër të tij krahasimin dhe analizën e disa faktorëve për evidentimin e veçorive të zonave rurale, duke përfshirë edhe atë historik, si dhe dinamikën e zhvillimit të vendbanimeve rurale në ketë hapësirë, duke evidentuar tipologjitë e ndryshme të tyre. Objekti kryesor i këtij punimi është ndërlidhja midis zonave rurale me zhvillim ekonomik të polarizuar dhe zonave urbane, të cilat kanë prirje de-urbanizuese. Rëndësia e këtij punimi qëndron në faktin se gjatë punimit janë të paraqitura disa harta të përpunuara të cilat, evidentojnë nga pikëpamja hapësinore shpërndarjen e popullsisë dhe vendbanimeve rurale. Gjithashtu ky punim paraqet rëndësi sepse jep disa rekomandime se si mund të kalohet nga eksodi rural në një zhvillim të qëndrueshëm të kësaj zone rurale. Pjesa më e madhe e informacionit është marrë nga Biblioteka kombëtare e Shqipërisë, si dhe baza teorike e zhvillimit dhe artikulimit të informacionit është marrë nga libri: “Gjeografia rurale”, me autor : Prof. Dr. Sabri Laçi

Diferencimi hapësinor midis zonave të ndryshme rurale, brenda hapësirës rurale, dhe kriteret për ketë diferencim

Në këtë hapësirë rurale është shumë i qartë diferencimi midis zonave të ndryshme rurale. Siç mund të shihet edhe në hartë, ndarja është bërë mbi bazën e disa kritereve natyrorë, socialë, kulturorë, humanë dhe ekonomikë.

Lloji i hapësirës rurale %
Zona thellësisht rurale 75
Zona rurale tipike 20
Zona peri-urbane 4.5
Zona urbane 0.5

Si kriter i parë është kriteri natyror i cili në zonën thellësisht rurale përfaqësohet nga relievi malor me lartësi që variojnë nga rreth 700 m deri në 2523 m. Gjithashtu copëtimi i relievit është i lartë dhe pjerrësia është e lartë. Shkëmbinjtë janë kryesisht flishe dhe gëlqerorë, por nuk mungojnë edhe ultrabazikët dhe efuzivët. Energjia e relievit kap vlera nga 100m/km2 deri në 600m/km2 në malin e Gramozit. Copëtimi horizontal varion nga 0.5 km/km2 deri në 6 km/km2. Hidrografia në këtë zonë përfaqësohet vetëm nga degët e Osumit. Energjia e rrjetit lumor është shumë e madhe e kjo sjell erozion intensiv anësor dhe në thellësi. Në kushte të caktuara meteorologjike ndodh që një pjesë e përrenjve të kthehen në përrenj baltorë. Gjithashtu një pjesë tjetër formohen kur ka reshje intensive dhe kanë karakter të përkohshëm. Klima e kësaj zone është mesdhetare paramalore dhe malore juglindore. Diellzimi në këtë zonë luhatet nga 2400 orë me diell në pjesën lindore dhe veriore, deri në 2600 orë në pjesën perëndimore. Reshjet kryesisht janë në formën e borës, të cilat bien më së shumti në pjesën lindore, ku edhe klima ka tendenca kontinentaliteti. Drejtimi i erës është kryesisht veri – jug ose e anasjellta. Tokat janë toka livadhore malore në pjesën lindore dhe toka të kafenjta në pjesën veriore dhe perëndimore. Toka të murrme pyjore ndodhen në një sipërfaqe të kufizuar në pjesën verilindore të zonës.

Në zonën rurale tipike relievi është më pak i copëzuar. Zona rurale tipike varion nga rreth 550 deri në 1200 m. Copëtimi i relievit është më i theksuar në qendër të zonës aty ku “piemonti” ka hyrë në fazën e dytë të tij. Kryesisht shkëmbinjtë janë flishe dhe në pjesën qendrore ka depozitime liqenore dhe në disa pjesë dhe aluviale. Energjia e relievit në ketë zonë është e ulët e kap vlera nga 40m/km2 deri në 200 m/km2. Copëtimi horizontal është shumë i madh deri në mbi 7 km/km2. Hidrografia përfaqësohet nga lumi Osumit dhe disa degë të tij. Klima e kësaj pjese është përgjithësisht e ngjashme me pjesën tjetër, si përsa i përket diellzimit dhe sasisë së reshjeve. Përjashtim bën lloji i reshjeve, ku më së shumti ka reshje shiu dhe më pak reshje bore. Tokat janë kryesisht toka të kafenjta, dhe në disa pjesë gjejmë edhe toka aluviale, në pjesët e tarracave të lumenjve me përmasa të vogla, degë të Osumit.

Për zonën peri-urbane ka përgjithësisht të njëjtat karakteristika me zonën rurale tipike, ndërsa zona urbane nuk është objekt i këtij studimi.

Si kriter i dytë është ai socio – kulturor ku mund të themi se është edhe një nga bazat reale të diferencimit midis zonave. Në zonën thellësisht rurale kryesisht në pjesën më të madhe ende familjet kam formë organizimi patriarkale, ku “burri bën ligjin” dhe shumë pak respektohen të drejtat e grave. Gratë bëjnë punë të rënda, kryesisht në bujqësi, po nuk mungojnë edhe në aktivitetin blegtoral. Përsa i përket kësaj është më i shprehur në pjesën perëndimore. Gjithashtu duhet theksuar se femrat martohen në moshë të vogël, po këtu mund të evidentojmë grup moshën 16 – 20 vjeç, ku ndodhin edhe pjesa më e madhe e martesave. Mentaliteti i prapambetur i kësaj zone shihet edhe në nivelin e arsimimit, ku një pjesë e konsiderueshme janë ose analfabetë, ose me shkollë fillore. Madje në disa pjesë zakonet lidhen edhe me religjionin, por këtu mund të themi se, në qoftë se e shohim nga aspekti kohor vitet e fundit kjo ndërvarësi sa vjen edhe po humbet.

Në zonën rurale tipike situata paraqitet më e moderuar, kjo për faktin edhe të bashkëveprimit më të madh midis kësaj zone me zonat peri-urbane dhe urbane. Në varësi të kësaj mund të themi se me kalimin e kohës zona rurale tipike po e humbet karakterin e saj rural, në aspektin social. Këtu ka një nivel më të lartë ndërlidhje, e cila në vetvete çon në krijimin e një identiteti për gjithë hapësirën e marrë në studim.

Kriteri i tretë është kriteri i përcaktimit të zonave në varësi të faktorëve humane. Këtu është trajtuar në terma të përgjithshëm transporti, si dhe infrastruktura rrugore, arsimore, dhe shëndetësore. Infrastruktura në zonën thellësisht rurale është primitive me rrugë me bazament natyral, dhe ku ndërtesat e shërbimeve mungojnë totalisht. Edhe në rastet e ekzistencës së godinave ato në mbi 90% të tyre janë jo funksionale. Gjithashtu në studim është konsideruar dhe niveli i jetesës si dhe gjendja ekonomike.image 1

Ndarja e zonave rurale të banimit për bashkinë e Kolonjës ( Amarildo Shallas, 2016 ).

image 5 (2)

Struktura e vendbanimit rural, fshati Bejkovë, Kolonjë, ( Amarildo Shallas, 2016 ).

Bibliografi

Amarildo Shallas. (2015). Problemet sociale në rrethin e Korcës. Tiranë: https://amarildoshallas.wordpress.com.

Axhemi, S. (2007). Gjeografia e popullsisë dhe vendbanimeve. Tiranë: ALSA.

Belba, A. (2013). Gjeografia e sektorit terciar në rajonin e Korcës. Punim në kërkim të gradës doktor i shkencave (f. 204). Tiranë: Universiteti i Tiranës.

Durham, E. (1905). The Burden of Balkans. London.

INSTAT. (2013). Censusi i popullsisë dhe banesave 2011 në nivel qarku ( për qarkun Korcë ). Tiranë: Instituti i Statistikës.

Pasha, M. (2006). Gjeografia Ushtarake. Tirane.

Qiriazi, P. (1985). Morfologjia dhe morfogjeneza e gropave juglindore dhe e maleve përreth tyre. Tiranë: Monografi.

Qiriazi, P. (1980). Vecori gjeomorfologjike të pellgut të Kolonjës. Tiranë: Permbledhje studimesh nr. 4.

Qiriazi, P., & Doka, D. (2012). Gjeografia e Shqiperisë dhe Trevave. Tiranë: botimet ideart.

Qiriazi, P., Doka, D., & Pushka, A. (2013). Gjeografia 9. Tiranë: botimet ideart.

SEKSIONI I ARSIM-KULTURES. (1971). KOLONJA, material ndihmës për studimin e vëndlindjes. Ersekë: D.A.R. Ersekë.

Shkencave, A. e. (1991). Gjeografia Fizike e Shqiperisë. Tiranë.

Shkencave, A. e. (1984). Hidrologjia e Shqipërisë. Tiranë: Akademia e Shkencave.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s